beqir buzuku
NË PESHOJË KOHE
Bota shikohet
me dy parë sy...
Me sy terri shohim natën
me sy drite
presim diellin,
diellin e së nesërmes.
Në vendnumërim
shtohet dergja e pritjes.
Me hapa përpara
shkurtohet rruga,
rruga drejt pikëcakut.
E ç’kuptim ka maksima
në udhëkryq:
Udha e gjatë
jeta e shkurtë,
udha e shkurtë e pasigurtë...
Ruletfati
ndodh na del mashtrim,
po mendjemprehtësia
e fundja dorëtakati
thonë sjell shpëtim.
HILJA
Në Dëbëllde e gjetiu
tkurret mezhda e tokës sonë,
kot ankohen fshatarët,
ankesat kurrë s’kanë peshë
për njerkën e për hileqarët.
Andej e këndej
të gjithë janë shqiptarë.
Pse u shty
guri i mezhdës së kufirit,
o hileqarë?!
Në tokën tonë stërgjyshore
Sikur t’ishim ardhacakë,
na shikojnë vëngërr,
paria jonë gjithnjë e përgjumur,
mrekulli sheh në ëndërr.
LUMI ME EMËR TË RI
Ibri s’është më Ibër
tash ka emër të ri:
K u f i...
Në mes të Mitrovicës
molla e sherrit,
në shpinë të Ibrit
mbi urë, mur.
Ndërtuesit e murit
sot na shkruajnë recetë
recetë për mu(l)ti jetë.
O ju kopshtarë,
të mollave të sherrit,
ne nuk i kemi sytë
për zyze të territ...
përtej lumit, përtej urës
shikohet në mes gishtash,
kur e lyp nevoja
nuk përdoret stopi...
Këtej çdo gjë hidhet n’peshojë,
çdo imtësi shikohet
me sy mikroskopi
Kosova e lodhur,
Kosova e tkurrtë
Meriton atë që synon.
Assesi imponim të shurrtë
IRRITIMI
Ca mjeshtër të padukshëm
gjenden diku,
në fundmoshën pus pa fund,
në trupin tonë ushtrojnë zejen e vet;
nisin të punojnë,
punojnë me dekretligje natyre,
dita-ditës na tisin energjinë,
mbjellin viruse e bakterie,
na e ndjellin pleqërinë.
Netët bëhen vite,
zgërdhihet pagjumësia,
peshëbjeshkën mbi shpinë
na e hedh plogështia.
Dhe më në fund
disi çdo gjë duket
sikur e përmbysur,
dielli i zbehtë,
qielli më i ngrysur.
KONTRASTE
N’kafene
dikush pi bukën e fëmijve t’vet
Mushkëritë gërrith tymduhani
Dreqi e i biri
aty kanë për t’hy,
pispilloset kamerierja
kronisti vjedh me sy.
Ndokund
n’dasmë valltarët prekun qiellin,
jehu i surlës e tupanit
posi bubullimë,
bën qetësinë copë e grimë.
Ndokund
dikush si M. Kuteli
në testament vulos porosinë,
shprush gjurmët e zhgënjimit,
n’mes jetëvdekjes
derën e vajit
e hap dorë e pikëllimit
MËDYSHJE
Shi e sqotë
porta me rezë
tavan i ëndrrës
plot krahnezë
Ngrohtësinë joshëse
e gllabëroi mjegulla
çatisë së shpresës
i mungojnë ca tjegulla
PENGESA
Kur hapërimi bëhet
me këmbë breshke
në shpinë na hudhet
një peshë bjeshke
Kur në qepalla
vërshon heshtja
zemrën përvëlon etja
Kur shtegu
është i ngatërruar
dikush Lulëkuqes
ia ndërsen
klyshëzit e tërbuar
ILAÇI
Shtatë pash thellë
fundos zymtësia
për t’pushtuar
majët e shkallëve
mungon fuqia
N’shkrumb të shpirtit
helm e pelim
mjegull e terr
një bashkëdyzim
Urë e dreqit
leqe-leqe
lypset shpikur një ilaç
lypset shporrur
ëndrrën e keqe
NJË PIKËPYETJE
Punët e vogla
kokorisjet
në shtrëngata
e po a trembet
muzgu nga mesnata


0 Kommentare:
Kommentar veröffentlichen
Abonnieren Kommentare zum Post [Atom]
<< Startseite