Freitag, 21. November 2008

LIMAN ZOGAJ








7 mars 2006 /TN

Pal Sokoli

"Kosovë nuk ta mora diellin" e Liman Zogajt

Libri me poezi” Kosovë nuk ta mora diellin” i poetit Liman Zogaj, vjen si një buçet lirike poezish që plotëson si mozaiku tërësinë krijuese të kohës se tij, sidomos krijimtarisë në diasporë ku prezantohet për herë të dytë para lexuesve. Se pari si bashkë autor në librin:”Metafora e arratisura”te botuar po nga i njëjti redaktor dhe nga e njëjta shtëpi botuese, dhe tani me librin e tij të parë.
Libri ka katër cikle:
1. Atdheu me pranga-Pëllumbat e përgjakur në udhë
2. Takimi me nënën pas një shekulli
3. Kalë i zi , ku po e çon kalorësin e vdekur?
4. Një zogë në qershinë e kopshtit tim.
Kapituj qe se bashku kanë një fillim të një gjendje shpirtërore të metaforave, te krijuesit nëpër situata te ndryshme të fatit të tij, fatit të Kosovës dhe të mbarë popullit të tij.
Në ciklin e parë Atdheu në pranga-Pëllumbat e përgjakur në udhë - poeti jo rastësisht e fillon me një cikël të shkurtër poezish dhe me poezinë e parë Pragu, kur poeti e len pragun, dheun, varret dhe diellin dhe niset nëpër terr dhe bredhë nëpër akull, nëpër bjeshkë, nëpër gurë, kah i len edhe gjurmët e gjakut gurëve të thepisur , gjurmët të cilat e kthejnë në të njëjtën rrugë për ta mbrojtur atë Prag.
Ky rreth i imponuar e përcill poetin në këtë kapitull, pothuaj se edhe në shumicën e poezive dhe mbetet i hapur vetëm ne tërësinë e librit sepse poeti ende nuk i ka parë stallagtitet dhe stallagnitet e bashkuara:
Nëpër gurë të larë me gjak / kthehen shqipet n´istikame /n´Dardani me mbrojt at prag, dhe pas ketij cikli të shkurtër hapet; Premiera e Luleve poezi qe është përkushtuese për dëshmorët Lladrocas, pikërisht dëshmove të vendlindjes se poetit me te cilët poeti njihet shumë mirë me ta, është pjesë e fëmijërisë së përbashkët, dhe bashkë me ta përgatiten premierën e Luleve për të mbetur Lapidar ne diell.
Sa do qe rruga e metaforave te tij është e vështirë plot rreziqe, e errësuar, ka herë se edhe vet gjakon errësirës të poezia Emrin e kam Diellor, na kujton Fan Nolin me poezinë Anës së lumenjve, pranë dritës i pa parë, se edhe ky është diellor por miop dhe vetëm i gjallë pa dritë/ Një jetë pa dritë/ vetëm i gjallë/ kam marrë frymë tinëzisht / jam Diellori-miop pa dritë. Dielli është tani për poetin metafora kryesore qe e përshkon poezinë e tij edhe kur në retrospektivë i kujtohen bukurit e vendlindjes së tij, tiparet fisnike e shumët ë tjera, aj i sheh edhe malësoret qe urojnë për diell, urojnë për fat të cilin nuk duhet të kërkohet te guri i pa fat, as lundrimeve të pa fat, as valëve të trazuara të detit me të cilët lundron edhe vet krijuesi me një biografi të djegur ne një Urnë pa frëngji, i cili edhe vet është i lindur kur deti kishte dallgë, valë qe janë bërë varr për shumë Mergima dhe Pranvera, por fati është të kullat e gjalla qe nuk mbyten kurrë, fati është në toponiminë dhe antroponiminë poetike të një kronologjie kohore qe i bën poeti te poezia:
Kullat me feniksa të gjallë, kur nga një kohë me flakë, me lule ne gjak, nga një kufi me gjemba, Kushtrimi, Albani e Albana, Agoni e Fitorja me zjarr e këngë rreth Flamurit/ ndërtojnë binar rreth diellit/. Me dritën e diellit dhe me syrin në nishan, copë-copë bëhet harta qe ndan atdheun, se bashku me gurët e kufirit te mbetur ne një trup si gersher ne operacion, me dritë, me gjak, shkrihen edhe prangat e Kosovës. Te Poezia Atdheu me pranga:/ ushtar me syrin në nishan/buzë kufirit copë-copë e bërë hartën/që ta ndante dheun.
Cikli i dytë Takimi më nënën pas një shekulli - fillon me poezinë; Nënës sime, poeti e përshkruan mallëngjimin e madh qe kishte pasur për nënën, sa kishte qarë dhe se nuk e kishte besuar kurrë se do të mbeteshin një shekull pa u parë edhe pse gjithmonë e kishte portretin e saj në mur. /Dhembja, pritja e vaji o nënëloke /nëpër rrudhat e ballit /t´u paskan shkrehur në nur /s´e kam besuar /se jetojmë një shekull të ndarë /me portretin tënd të varur në mur.
Këtu fillon ringjallja, me ritakimin me nënën qe është diçka e natyrshme por vetëm poeti dhe gjaku i ti e kishin këtë fat kundër-natyror, të rritet pa nënën si zogjtë që lajmërojnë pranverën e duhet të dënohen me ikje dhe pastaj kur pushojnë furtunat te kthehen të nëna me lotë te ngrirë në sy. Ky fat shtrihet ne tërë kapilaret e gjakut, në Tetovë, Preshevë, Tiranë e Kosovë dhe ku të gjithë jemi bërë aktor të një skene pa dritë derisa ti pelcasin prangat atdheut dhe derisa të kthehet aktorja me një lule në duar.
Dielli shihet pa frëngji kur bashkohen dy anët e dhembjes p.sh., të poezia: Kur jetoj pa pranga, /Ringjallja/ kur të bashkohen stalagtitet dhe stalagmitet/ deri në Diell le të pëlcasë klithma ime/ Diellin do ta shikojë pa frëngji burgu. Poeti pret qe te qelin Lule dielli dhe të ja tregoj kahjen e bredhjeve të veta qe me masën e trupit të vetë i matë varret edhe nëpër valët e Otrantos, edhe nëpër lëndinat e lotit vetëm të mos ja lëndoj sytë e dritës Diellorit.
Poezia Varrmihësi; /Unë qe hapi varre me gjatësinë e trupit tim/ me qeliza e inde të shkumuara / pres, e pres, e pres/ Luledielli t´ma tregoj shtegun e ditës. Identifikimi i krijuesit me diellin, me valët kur gurrat nuk kan uji, me zogun me gurin ne Rozafë janë momente qe lidhen me mitin e flijimit dhe të ringjalljes dhe kthimin me hartë te Kosovës në sy, luftën qe bënë krijuesi për të mos e lëshuar pendën nga dora dhe për ta shpëtuar poezinë ”Kosova e Diellit” më dhëmbë e shkruan poezinë e re”Kosova e përgjakur nën Diell”.
Cikli i dytë është po thuaj se i tëri i karakterizuar me tri shtylla kryesore poetike të fatit të protagonistëve të poezisë së Zogajt e këto janë: padrejtësia historike ose trashëgimi, flijimi ose lufta për ekzistencë dhe ringjallja-kthim ose liria. Te poezia Pagëzimi i Lapidarve, krijuesi shpreh rrezikun e trashëguar ku token dhe gjakun i nominon me të njëjtin emer dhe ku Lapidaret kanë tre emra Gjak, Diell dhe Liri.
Ndërsa sakrifica dhe flijimi bëhen vetëm e vetëm për të njëjtin qellim vetëm për dashurin për Atdhe. P.sh. të poezia Kosovë nuk ta mora Diellin kur niset në shtegtim nëpër terr dhe nuk merr me vete as dritën e Hënës as te Yllit dhe as të Diellit edhe pse aq shumë i duhej por merr me vete një grusht dhé ku poeti i ruan të gjitha të mirat dhe të këqijat e Atdheut të vet. / U nisa nëpër terr Kosovë/ e nuk ta mora hënën/ edhe pse drita më duhej/ as yjet s´ti mora Kosovë/ edhe pse dritë nuk kisha/ Diellin nuk ta mora Kosovë. Ose te poezia: Diell e gjak, ku për një poezi të tillë mbushen qelitë e burgut pikërisht me gjak dhe Diell pra me njerzit e pendes.
Cikli i tretë: Kalë i zi, ku po e çon kalorësin e vdekur? Poezitë e këtij cikli janë ca për plagën që na e përcjell si hije historikisht e që është mërgimi dhe ca poezi përkushtuese që duken për nga titullimi i tyre. Zogaj e fillon me një poezi përkushtuar vëllait Salih Zogaj e që tingëllon njësoj për fatin e të gjithë shqiptarëve; Akujt kullojn gjak;/ Aiii / Vllai im/ krejt si unë e paske pasur fatin/ fatin e zi futë.
Kur krijuesi merret me mërgimin nuk ka si të ikën edhe mallit që mërgimtaret kanë për atdheun, për nënën, për varret, për fëmijët për buzëqeshjet dhe vajet, për çastet e gëzimit dhe të hidhërimit, të gjitha këto tingëllojnë ndryshe po të ishte edhe varri aty ku ishte edhe djepi.
Të poezia Varri; p.sh. malli është ai qe gjunjëzon çdo njeri dhe për fat të keq po trashëgohet të pasardhësit, të brezat e ri. / o nënë , unë djali yt i përlotur të lutem/ ku është babi im mërgimtarë?/ edhe yjet do ti marrë në duar/ ta shohë babin në varr. Malli përcjellët me përjetime të ndryshme dhe një nder to është ndjenja e të jetuarit vetëm. / kur të duhen buzëqeshjet / se ke gruan /kur ke mall për fëmijët/ se ke djalin/kur s´te rrahë as zemra e vdes/ se ke as varrin. Vdekja jashtë mëmëdheut është një përjetim i rëndë, të vdesësh aty ku nuk mund të leni dhe amanetin e fundit në gjuhen tënde është tmerr.
Shembull te poezia; Vdekja në klinike moderne, (kushtuar mërgimtarit I. M) kur personazhi vdes në kliniken moderne por qe për një çast harron gjuhen gjermane e shqip nuk kishte me kë të rrëfehej në çastet e fundit të jetës, ikja e ti nga diktatura dhe gjakimi i tij për një pranverë, për Diell. Shumë simbolike është edhe poezia, Kur dhembin plagët kushtuar mikut Dr. Gregory Hahn, kur poeti e thërret për dëshmitar të plagëve të gjalla qe rrjedhin gjak valë, dëshmitarë për etjen për dritë, për sakrificat deri kur të mbjellin lule dielli për Kosovën.
Në të gjitha këto trajata për të ruajtur identitetin e tij europjan i rrëfehet edhe mikut tjetër inxhinierit Delvendal tani kur / edhe pranvera heshtë. Por edhe në këtë gjendje i shkumuar, i djegur, në urnë shpirti i ti nuk del nga Urna por mbetet ne të, sepse është ringjallja është vet hiri i Fenixit qe pret diellin dhe kthimin në Kosovën pa pranga.
Cikli i katërt:Një zog në qershinë e kopshtit tim - Është cikli idilik qe poeti me dashurin e tij të pa emër herë i drejtohet biondinës se qytetit e herë malësores që ikën në malësi, apo nëpër valë-e poeti pret dhe qanë.
Poeti ka sakrifikuar të gjithë jetën për këtë pritje-ka pritur Zogun të vijë në qershi, të poezia :Të pres, / Një zog ka ardhë në qershinë / e kopshtit tim/ dhe ja thotë këngës / e unë as zogu, as kënga. Te gjitha këto idile dashurie dhe kjo biografi e këngës kanë mbetur jashtë pentagramit sepse poeti është tani soditës i diellit në kishën Jona, aty është bërë mik me qiellin /O zot / sa bukur rriten lulet/nen Diell/ aty ku e shoh/ lotin tim të djegur.
Pasi ta kemi lexuar këtë libër në tersi shohim se është një materializim i realizuar poetik i rrethanave, i botes shpirtërore, i sakrificës dhe me një mesazh të fort poetik qe na bashkon rreth Diellit. Një mesazh të idealizuar dikund ne mes të realitetit dhe të fatit të gjenit të tij. poezi qe kanë dhembjen por qe kanë edhe diellin, qe kanë kohë dhe hapësirë, libri ka edhe simbolikë të theksuar poetike dhe një metaforë me një mesazh të theksuar. .
Libri është i ilustruar me disa ilustrime të bukura dhe shumë simbolike nga Andrea Tils, Susane Herdick dhe Anna Maria Müller.
Libri është botuar nën mbikëqyrjen e Arbër Ahmetajt dhe posa ka dalur nga shtypi nga shtepija botuese: Mërgimi A&B, 2006.
Promovimi behët me datën 19. 04. 06 në Essen (Gjermani) në sallën e kishës Jona.
Në vazhdim dy poezi nga libri i posa botuar Kosovë nuk ta mora Diellin e poetit Liman Zogaj
DUA TË VDES
Pa dritë
Edhe tek ti
Edhe tek unë,
Pa ujë
Edhe krojet, edhe gurrat
E loti bëhet lumë.
Pa jetë
Edhe mbi gërmadhat e kullës
Edhe në të ziun kurbet
E loti akull në qepalla
E loti bëhet det.
Sonte kërkonim vdekjen
Edhe Ti, edhe Unë
Le të vdesim duke pritur Dritën
E dhembja le të bëhet furtunë.
Të vdesim duke buzëqeshur
E jo duke qarë
Vetëm atje ku i lamë Djepat
Të kemi edhe varr.

UNË DHE VASHA
Unë e shikoja qiellin
Unë të shikoja ty
Ti më puthe në ballë
Unë të putha në sy
Kur uleshim mes lulesh
E dorën ma vije mbi dorë
Fytyra jote skuqej si zjarri
E unë si guri nen borë
Ato flokë valë-valë
Në dorë t´i mora njiherë
Kujtova se më zuri dielli
Mú duk se zura ylber.

-------------------------------------------------------------------------------------

Poezi:
"Kosovë nuk ta mora diellin"
E poetit: Liman Zogaj
Redaktor:Arbër Ahmetaj
Korrektim letrar:Fatmira Brahaj
Botoi: Shtepia e arteve dhe botimeve ”MERGIMI A&B” 2006
Tiranë - Gjenevë - Prishtinë
Ballinën: Andrea Tils

0 Kommentare:

Kommentar veröffentlichen

Abonnieren Kommentare zum Post [Atom]

<< Startseite