Dienstag, 30. Dezember 2008

KK I GJILANIT ZGJODHI PERSONALITETIN E VITIT


DEMIR KRASNIQI U ZGJODH PERSONALITET I VITIT

Me moton "MË TË MIRËT 2008" më 18 dhjetor 2008 Kuvendi Komunal i Gjilanit,përkatësisht Drejtoria për Kulturë,Rini dhe Sporte,organizoi Manifestimin Vjetor Tradicional të fundvitit.Organizatorët dhe juria profesionale e këtij manifestimi në mesin e më të mirëve zgjodhën Demir Krasniqin,muzikolog,këngëtar dhe krijues i cili u nderua me një mirënjoheje speciale si"Këngëtari më i mirë 2008"në KK Gjilan.Demir Krasniqi këtë vit ka shënuar Jubileun e 40 vjetorit të krijimtarisë së tij si këngëtar dhe krijues,si dhe ka përfaqësuar Kosovën në Kongresin e ABC në Manastir me këngën"KURRË NUK SHUHET MANASTIRI",ku është treguar shumë i suksesshëm dhe iu është nda "Mirënjoheje".Po u njoftojmë me pak fjalë me këngëtarin dhe krijuesin tonë Demir Krasniqi:

DEMIR KRASNIQI

U lind më datën 10 Shkurt 1950, në fshatin Tugjec të Malësisë së Gollakut, komuna e Kamenicës.
Gjatë jetës së tij, ka ushtruar këto profesione:
Pedagog muzikor,
Këngëtar dhe rapsod popullor,
Kompozitor i këngës dhe valles në frymën e melosit popullor burimor,
Krijues poetik i vargjeve të këngës popullore dhe rapsodike,
Mbledhës i folklorit burimor muzikor shqiptar,
Publicist i shumë studimeve etnomuzikologjike,
Radio – gazetar dhe
Gazetar hulumtues.

Veprat e publikuara deri më tani janë:

“Mallëngjime e oshtima” – Prishtinë, 1993.
“Qamili i Vogël – zë që nuk shuhet” ,( monografi) – Prishtinë, 1995,
“Gjakon Kosova” – Gjilan, 1998,
“Bejtë Pireva” – Gjilan, 2002,
“Zeqir Maroca” – Gjilan, 2002,
“Këngë krismash lirie”I – Gjilan, 2003,
Këngë krismash lirie” II – Prishtinë, 2003,
“Familja Kurti nga Tugjeci” (monografi) – Prishtinë, 2004,
“Shtojzovallet e Gollakut”, ETMMK – Prishtinë, 2005,
“Kushtrim lirie” – Gjilan, 2005,
“Liman Shahiqi – trimi i Gollakut” – Prishtinë, 2005,
“Kroi i këngës” – Gjilan, 2006,
“Qamili i Vogël – Këngë përjetësie” – Gjakovë, 2006,
“Krenaria e Gollakut” – Gjilan, 2008 dhe
“Diell lirie” – Gjilan, 2008.
Jeton, punon dhe krijon në Gjilan.
Motoja e punës dhe krijimtarisë së tij është:

“ Për emrin e Zotit,
Për nderin e kombit,
Për gjakun e dëshmorëve,
Për eshtrat e varreve”!

Montag, 29. Dezember 2008

DRENUSHA ZAJMI-HOXHA

HOXHA-POEZI


Drenusha Zajmi Hoxha

REQUIEM PËR NJË ENGJËLL

( kushtuar nje vajze ,që u vetëvra pas dhunimit)

Vizionet e pandryshuara, pikturuar nga dorë e mjeshtrit
Bëhen mysafire të gjithësisë dhe luftëtare të ëndërrave
Që shemben para se rrugën ta gjejnë
E shuhen me agimin e mbushur plot zhgënjime
Nuk ka mënyrë tjetër për sytë, që lot dëshirojnë
Veçse pikëllimin ta ndjejnë.

Një çast besimi ngushëllon, para mëkateve që vijnë
Virgjëreshën e fshehur me buzëqeshjen hyjnore
Që shiton si Mona Lisa nga kornizat e jetës, si rrufeja
Por në sytë e saj , vdekja asnjëherë s’ishte më e thjeshtë
Pas katarzave të njëpasnjëshme nën idilën e pashpresë
Të shpirtrave , që dorëzohen pa beteja.

Shnderrohet në pikturë me ornamentet e natës
E pakapshme si yjet, që vdekëtarët e zakonshëm i përqeshin
Dhe vallëzojnë si shpirtra të mallkuar e të humbur në hapësirë
Vdekja asnjëherë nuk dukej më e trishtë
Kjo shërbëtore e historisë së vrazhdë në fron hyjneshe
Me krahët e saj ,që mëshirë nuk njohin
Mbuloi trupin e brishtë.

Fryen erë e ftohtë mes degëve t’ ngrira në shuplakat
Që ende jetë frymojnë për të fundit herë
Dridhen nga të prekurit e dyerve të parajsës
Nën mjegullën e lotëve si shiu në pranverë
Ringjallet si feniksi dhe fluturon amshueshëm
Një engjëll i mahnitshëm
Vdekja nuk dukej më e gjallë asnjëherë

Donnerstag, 18. Dezember 2008

REPORTAZH


NË RIKTHIM TË SHPIRTIT TË MALËSISË SË GOLLAKUT

Malësia e Gollakut – krahinë kjo që shtrihet në pjesën verilindore të Republikës së Kosovës , shënon vijën kufitare me shtetin e Serbisë fqinje . Territori gjeografik i kësaj Malësie , administrohet nga këto komuna: Prishtina, Podujeva, Novobërda, Kamenica, Bujanoci, Vraja dhe Medvegjëja .

Që nga mbirjet e para të popullit autokton shqiptarë mbi këto troje etnike , kjo Malësi ka shërbyer nëpër shekuj si beden i gjallë , në mbrojtje të kësaj popullate nga luftërat, sulmuesit dhe armiqtë e shumtë, që pareshtur iu vërsulen këtyre maleve , përmes të cilave synonin grabitjen e tokave shqiptare , plaçkitjet dhe masakrat e përgjakshme mbi këtë popullatë të pafajshme dhe të pambrojtur!

Malësorët e Gollakut, qëndruan dhe rezistuan me stoicizëm dhe heroizma të pa parë në histori , por kurrë nuk ia kthyen shpinën kësaj Malësie legjendare dhe heroike. Ata jetuan dhe mbijetuan nën kushtet më të rënda për ekzistencë, por asnjëherë nuk u zhgënjyen dhe nuk u gjunjëzuan para okupatorëve , plaçkitësve, grabitqarëve dhe kasapëve të etur për thithje të gjakut shqiptarë!

Deri pas përfundimit të Luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 1999, kjo Malësi thuajse ishte tërësisht e izoluar nga bota e qytetëruar , nga se nuk kishte as rrugë , rrymë elektrike, shkolla, spitale, fabrika... dhe jeta këtu, sa vinte e bëhej çdo ditë e më e rëndë !

Të shtyrë nga këto rrethana , banorët e kësaj Malësie , filluan të kërkojnë rrugë të tjera për të mbijetuar dhe për t’ i shkolluar fëmijët e tyre!

Pjesa më e madhe e këtyre banorëve u detyruan që t’ i braktisin vatrat dhe trojet e tyre stërgjyshore dhe të migrojnë nëpër qendra të ndryshme urbane , madje shumë prej tyre u shpërngulën edhe në Turqi!

Djalëria e kësaj Malësie, që përbënte krahun më të fuqishëm për punë , u detyrua që t’ ia marri udhët e gjata të kurbetit të zi – rrugë këto që për shumë kënd u bënë të pakthyeshme !

Kështu që, brenda 3- 4 dekadave , kjo Malësi mbeti e vetmuar, si një Nënë e mjerë – pa bijtë dhe bijat e saj !

Bijtë dhe bijat e lindura nga kjo Malësi trime, kudo që janë duke jetuar, qoftë brenda Kosovës, qoftë në diasporë , jetojnë me ëndrra se një ditë do t’ i kthehen kësaj Malësie dhe se me kthimin e tyre – do t’ ia rikthejnë edhe njëherë shpirtin, jetën, krenarinë dhe bujarinë që e kishte dikur Malësia e Gollakut!

Me çlirimin e Kosovës dhe me shpalljen e saj – shtet sovran, e pa varur dhe demokratike, shpresat e bijve dhe bijave të kësaj Malësie, sa vijnë e shtohen për një rikthim në vatrat, vendlindjet dhe trojet e tyre stërgjyshore , për një jetë më të mirë dhe për një ringjallje shpirtërore !

Me çlirimin, pavarësimin dhe demokratizimin e Kosovës, mund të vërehen trende pozitive në drejtim të ringjalljes dhe ripërtërimjes kudo në trevat e Malësisë së Gollakut. Kjo vlen sidomos në krijimin e infrastrukturës rrugore , në ndërtimin e disa shkollave dhe renovimin e objekteve të vjetra shkollore.




Në odën e mësuesit Zahir Bekteshi në fshatin Gllogovicë

Të nxitur nga malli, nostalgjia dhe dëshira e papërshkrueshme e disa qytetarëve të shpërngulur që moti nga kjo Malësi, për të iniciuar rikthimin në trojet e tyre stërgjyshore, një grup entuziastë nga Prishtina , të prirë nga rapsodi Gani Demolli , me prejardhje nga fshati Gllogovicë , në bashkëpunim me disa njerëz të arsimuar që ende jetojnë në këtë fshat, më datën 16 Dhjetor 2008, kishin organizuar një mbrëmje tradicionale mu në odën e mësuesit Zahir Beketshi.

Organizatorët e kësaj mbrëmje tradicionale, kishin ftuar njerëzit e tyre që jetojnë në Prishtinë, Gjilan , Kamenicë e gjetiu.

Atë mbrëmje oborri i odës së mësuesit Zahir, oda dhe poçet elektrike të fshatit Gllogovicë, dukeshin më të gëzuara dhe më të ndritshme se kurrë më parë. Ato ishin krenare që këtë mbrëmje do të presin mysafirë nga të katër anët!

Atë mbrëmje, oborri i odës së mësuesit Zahir, ishte i vogël për t’ i nxënë veturat që po vinin nga Prishtina, Gjilani e Kamenica. Ishte një mbrëmje e errët, ku mjegullat e dendura i kishin ngulfatur të gjitha majat, brigjet dhe kodrinat e Gollakut. Larg nga malet dëgjoheshin ofshamat e maleve, të cilat përballeshin me stuhi të fuqishme erërash, të cilat paralajmëronin një dimër të vështirë!

Para derës së odës, mësuesi Zahir , së bashku me vëllezër, djem, kushërinj , ishin rreshtuar krenar dhe po i pritnin mysafirët me përqafime të ngrohta, shtrëngime duarsh dhe buzëqeshje krenarie .

Që në hyrje të odës, qëndronin dy djelmosha të rinj, të cilët ua merrnin valixhet mysafirëve dhe ua vendosnin këpucët e tyre në trapazanin e odës. Burrat (mysafirët) që ishin brenda në odë, qëndronin në këmbë duke iu dëshiruar mirëseardhje mysafirëve dhe duke i udhëzuar ata, se ku do të uleshin, gjithnjë duke i respektuar moshat dhe largësitë e mysafirëve. Zoti i shtëpisë, qëndronte në këmbë i buzëqeshur, i gëzuar, i hareshëm, duke iu uruar mirëseardhje të gjithë mysafirëve! Gëzimi i madh, nuk e linte që të ulej!

Në një kënd të odës, ndizej një stufë e vjetër tradicionale e cila kujdesej për ngrohjen e mysafirëve. Djemtë e rinj, nuk ndalen dot duke i shërbyer mysafirët ashtu si që e kërkon tradita e këtyre maleve.

Oda ishte zbukuruar si kurrë më parë me një pamje solemne, mbi të cilën ishin shtruar qilima tradicional kuqezi, jastëk, sixhade, jana, që të gjitha punim tradicional i veknave të nënave, nuseve dhe motrave tona malësore.

Kryeplaku i odës – mësuesi veteran i këtij fshati, zotëriu Hasan Bekteshi, pasi na njofton të gjithë të pranishmëve në mes veti, e merr fjalën dhe evokon me nostalgji për të kaluarën e fshatit Gllogovicë.

Ai, pos vuajtjeve dhe përjetimeve të tmerrshme në të kaluarën e këtij fshati, flet për migrimin, shpërnguljet dhe kurbetin e malësorëve të kësaj ane. Në sytë e tij, të njomur nga lotët e mallit, shprehej dëshira dhe dashuria e tij, për arsimimin e brezave të rinj të këtyre anëve, ku ndër të parët ishte që e kishte mbaruar Shkollën Normale në Prishtinë. Ai, ishte bërë udhërrëfyes i shumë djelmoshave të rinj, të cilët nga dëshira e madhe për tu bërë mësues si ai, ia kishin mësy shkollimit dhe sërish iu kishin kthyer fshatit e vendlindjes për t’ ia falur kontributin e tyre, shkollimit , arsimimit dhe emancipimit të gjeneratave të reja të këtij fshati.

Në vazhdim të rrëfimeve të tij, mësuesi Hasan, fliste me nostalgji për fshatin e tij të dashur – Gllogovicën, ku para disa dekadash kishte numëruar mbi 60 shtëpi (familje), kurse tani, ky fshat mezi i afrohet 20 shtëpive?!

Por, ai nuk e fshihte optimizmin se ndoshta do të rikthehen banorët e shpërngulur nga ky fshat, duke llogaritur në infrastrukturën rrugore , që asfalti kishte mbërri deri në fshatin Krilevë, që i lidhë me Kamenicën dhe Gjilanin, kurse vitin e ardhshëm kjo rrugë do të asfaltohet edhe deri në Hajkobillë, ku do të lidhën edhe me Prishtinën!

Po ashtu, mësuesi Hasan, fliste me krenari për faktin se në këtë fshat sivjet është ndërtuar shkolla e re , ku nxënësit e këtij fshati do të mbarojnë 9 klasë të shkollës fillore.

Historiku i odës së mësuesit Zahir Bekteshi

Ne, që patëm rastin, nderin dhe privilegjin që të jemi pjesëmarrës të kësaj mbrëmje madhështore , ishim kureshtarë që të mësonim diç më shumë rreth historikut të odës së mësuesit Zahir, ku po bënim aheng!

Për historikun e kësaj ode, mësuesi Hasan Bekteshi, na tha:

“Kjo odë, ka një traditë dhe lashtësi hiq më pak se 100 vjeçare !

Në këtë odë, ku jemi ne sonte, kanë hëngër bukë dhe kanë pushuar breza e breza, gjenerata e gjenerata, miq , jarana e shokë nga të katër anët e Gollakut, Anamoravës dhe Kosovës, luftëtarë, trima, patriotë, dijetarë, pleqnarë, kalimtarë të rastit, tregtarë!...

Po, kush nuk ka hëngër bukë në këtë odë dhe në shumë oda tjera të Malësisë së Gollakut?!

Dhe, ja, se pas 100 vjetësh , duke i falënderuar Zotit të gjithëfuqishëm, duke iu falënderuar rapsodit tanë – Gani Demollit dhe duke ju falënderuar të gjithë juve që keni ardhur sonte në këtë Malësi, na u bë e mundshme që t’ i ripërtërijmë kujtimet dhe traditat tona, kënaqësitë tona shpirtërore, me të cilat jemi rritur, edukuar dhe argëtuar, ne, baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë!

Sot, vetëm në lagjen tonë, kemi mësuesit:Zahir,Gani,Hasan,Zenel, Fadil, Blerim Bekteshi dhe shumë shkollarë të tjerë që janë të rinj, entuziast dhe shpresoj se këto gjenerata do të hedhin dritë e dituri më shumë, jo vetëm në këtë fshat, por në gjithë Malësinë e Gollakut!”

Darka në odën e Zahir Bekteshit

Bisedat, evokimet dhe kujtimet sikur nuk kanë të sosur. Në ato momente, para mysafirëve të radhitur në të katër anët e odës, hyjnë dy djelmosha të rinj: njëri me ibrik dhe legen në dorë e tjetri me një peshqir .

o Urdhëroni e lani duart se do të hamë darkë !

Djelmoshat tjerë të paprintueshëm, i sjellin në odë tri sofra të mëdha druri, në të cilat mund të darkojnë nga 15 mysafirë! I shtrojnë ato dhe mysafirët ulën për rreth tyre. Sofrat mbushen me të gjitha të mirat e bereqeteve tradicionale familjare.

Specialitet e para të kësaj darke ishin flijat e pjekura me saç dhe të mestitura me mazë të bulmetit shtëpiak.

Kosi i nxënë me tambël lope, ishte i pamazitur dhe mezi e çante luga!

Uji i burimit nga mali, që shkëlqente në gota porsi biluri, dukej se po na i hapte dhe pastronte edhe mushkëritë e mbuluara me tymin e gjeneratorëve të qytetit dhe me baltën e gypave të ujësjellëseve artificiale të qytetit!

Ushqimi i tradicional natyral dhe uji i pastër si biluri nga krojet malore, na i shndriti sytë dhe na i pastroi telat e zërit, ku ishim të gatshëm që t’ ia themi këngës, ma mirë se bilbilat !

Kënga e rapsodëve popullor

Pas ngrënies së darkës dhe pirjes së çajit, radhën e kishte ahengu dhe kënga tradicionale rapsodike, të cilën mezi e pritnin mikpritësit vendor dhe mysafirët e pranishëm!

Rapsodët e ndryshëm popullor, me veti kishin marrë çiftelitë, sharkitë, instrumente tjera dhe kostumet tradicionale kombëtare.

Pa humbur kohë, të gjithë i akorduan instrumentet dhe kënga filloi. Qetësia mbretëronte në odë, sa dukej se edhe miza po të fluturonte, do të dëgjohej.

Rapsodët kënduan me gjithë afshin e tyre, këngët më të dashura të jetës së tyre që nga Skënderbeu e deri te Adem Jashari ! Në shenj nderimi dhe respekti ndaj këngës dhe rapsodëve, pas çdo përfundimi të këngës – ata nderoheshin me duartrokitje frenetike nga ana e mysafirëve të pranishëm.

Rapsodët këndonin me rend dhe me kujdes të matur burrëror, kurse asnjëri nga mysafirët e pranishëm gjatë kësaj mbrëmje, nuk shtini me armë të zjarrta, sikur që ishte zakon dikur në ndejat e tilla, kur njerëzit e pa përgjegjshëm shtinin me armë zjarri, e prishnin atmosferën e mysafirëve, e prishnin tavanin e odës dhe shkaktonin rreziqe të pa parashikueshme!

Gjatë kësaj mbrëmje të paharrueshme në odën e mësuesit Zahir Bekteshi, në fshatin Gllogovicë, morën pjesë dhe kënduan këta rapsodë popullor: Kadri dhe Xhemajl Duraku, nga fshati Lupç i Ulët , komuna e Podujevës, Ajet Grajçeci dhe Gani Demolli nga Prishtina, Demir Krasniqi dhe Xhemajl Berisha nga Gjilani, Hetem Matoshi dhe Selman Maliqi nga Kamenica, si dhe grupi muzikor i të rinjve të fshatit Gllogovicë, i udhëhequr nga Blerim Bektashi.

I tërë ky aheng dhe kjo mbrëmje e paharrueshme u regjistrua nga ana e kameramanit Bekim Shillova nga Kamenica.

Në fund të kësaj mbrëmje, të gjithë pjesëmarrësit u ndanë të kënaqur me shpresë se edhe në të ardhmen, një traditë e këtillë do të vazhdojë edhe në fshatrat tjera të malësisë së Gollakut dhe me porosinë unanime për të gjithë ata që nuk janë ma në Gollak:

“Kthehuni, ndërtoni, punoni ,argëtohuni dhe kënaquni në Gollak!”

Gjilan, më 16 Dhjetor 2008. Demir KRASNIQI

Sonntag, 14. Dezember 2008

"HIJET E ERËRAVE"-RRUSTEM GECI


"HIJET E ERËRAVE"Rrustem Geci, poezi nga libri më i ri “ Hijet e erërave”









Enciklopedia e fakteve

( I kushtohet, 17 mijë të rënëve të Kosovës

nga gjenocidi serb )

Çastin që dorën bëmë grusht

dhe bukën e gojës bashkuam

serbia urdhëroi ushtrinë e saj

që krimi i tyre të mos harrohet

Me urrejtjen më të përtejme

serbët gjenociduan shqiptarët

popullin shumicë në Kosovë

Gjenocidi serb mbi shqiptarët

s´ishte fjalë boshe, as i sajuar

ai v r a u , qëlloi dhe plagosi

popullin më të lashtë të tokës

çfarë janë serbët,kush janë ata

lexoni emrat e të pushkatuarve

emrat e gropave me v a r r e

emrat e 1 milion të ndjekurve

emrat e mijëra të pagjeturve






























U D H Ë T

Ngushticës së shpirtit

Shtyhen aktorë tragjik

E kaluara dhe e sotmja

E ardhmja, koha pas saj

Në këtë shfaqje të jetës

Nxitojnë plot n j e r ë z

Y j e nga më të rinjtë

Diej nga të mëdhenjë

Në hyrje të së vërtetës

Do të presim në radhë

Bashkë me veten tonë

Do presin dhe të tjerët

Në këtë botë të pasur

S´hyhet i pa dashuruar

Ky është jetë - realiteti

Në ngushticën e sopirti


























MANASTIRI

Në p e m ë n e gjuhës

lexoj të kaluarën time

13 mijë vjet pellazgji

dhe 3 mijë vjet i l i r i

Në atë orë të historisë

të Kongresit të Abesë

gjuhën shqipe e bëmë

me shkronja moderne

Alfabeti i Manastirit

ishin kthesë e madhe

për të gjithë shqiptarët

që bukës i thonë bukë

Ajo ditë e Manastirit

ishte një rilindje e jona

13 mijë vjet pellazgji

miliiarda vjet Shqipëri



















ARKEOLOGU

Mbi këtë grumbull dheu

kërkoj dorën tënde, fletët

tuaja; emrin tim të parë

kërkoj të motshmit e mi

Mbi këtë grumbull dheu

jam që ta lexoj tokën

si një l i b ë r të kohës

si një libër të shekujve

Në këtë ardhje të vonë

unë dua të marr diçka

unë dua të lexoj diçka

nga thëllimat e të parëve

Kosovë iliriote , tregomë

tregomë të fshehtat tuaja

poezinë dhe teatrin tënd

ku unë mund të njihem
























P E T R I T I

Mbrëmje ishte ai takim

kur unë e ti u përqafuam

nën pemët më me mollë

nën qiellin më me y j e

Në atë takim me miken

ne i rrëzuam gjithë lotët

që ajo m b r ë m j e jona

të mos jet veç e puthur

N´atë mbrëmje me gusht

kur unë e ti u përqafuam

Nga d a s h u r i a jonë

edhe l o t ë t gëzoheshin

E diele ishte ajo mbrëmje

në kopshtin me m o l l ë

mes tokës e q i e l l i t

m i k j a ishte e bukura



























P R U S H I

Jam në mes të rebelëve

me trimat më me përvojë

në këtë vend ku ndodhem

afër ka “bujtës” të ndryshëm

Në vuajtjet e të pafjeturve

mëndje të forta më thërasin

sa herë më mungon gjeniu

vendi i tij mbetet b o s h

Forcë e të jetuarit s´ lëkundet

as kur erërat shkulin rrënjë

fjala, e l i r ë e ka qëllimin

dhe të guximshëm vendimin

Jetoj me më të pa gjumët

me njerëzit më me përvojë

K r i j o j me më të z o t ë t

ku prushi e tymi s´frikësojnë



























A M I

Prej yjeve të shiut

deri te yjet e barit

kohës unë i marr

aq sa edhe i jap

Koha s´ ka kufij

as javë , apo muaj

por kujtesë të fortë

të heshtjes së egër

Në katedralen e saj

rendin gjitha kohët

dhe të gjitha erërat

prej a j r i t fillojnë

Ndiz flakën zemër

dhe farën hidhe

që lulet të qelin

të blerta me ngjyra

Samstag, 6. Dezember 2008

VETEM DHENDUERT I KENDOJME PER SE GJALLI


Koment

VETËM DHËNDURËT KËNDOHEN PËR SË GJALLI

Gjatë karrierës sime si këngëtar krijues , më ka rënë që të përballem me lloj – lloj njerëzish të mentaliteteve të ndryshme . Dihet se shijet dhe kërkesat e njerëzve ndaj këngës dhe muzikës janë të ndryshme, ashtu siç janë edhe zhanret e muzikës të ndryshme.

Në opusin tim krijues në zhanrin e muzikës popullore, sidomos të asaj rapsodike dhe lirike, më se 70% të këngëve të mia , i takojnë ngjarjeve historike, trimave legjendarë, heronjve, dëshmorëve dhe figurave më të ndritura të kombit tonë , gjithandej trojeve etnike shqiptare. Këto këngë më bëjnë të jam krenar dhe t’i këndoj me gjithë frymën e shpirtit që kam.

Mirëpo, jo rrallë herë , më ka rastisur që të zhvilloj dialogje të pa këndshme me njerëz që kanë ambicie të një mentaliteti të sëmurë nga lashtësia dhe primitivizmi i trashëguar ndër shekuj . Njerëzit e vuajtur nga një mentalitet i tillë, do të dëshironin që edhe atyre të iu thuren këngë dhe të këndohen për së gjalli, pa e bërë asnjë hap në të mirë të popullit, kombit dhe atdheut!

Njerëzit e një mentaliteti të këtillë (pa asnjë meritë), do të ëndërronin që të futen në analet e historisë së këngës shqiptare, në historinë kombëtare dhe të rreshtohen me elitën e trimave të atdheut! Ata, do të donin që këngët e tyre , të jehojnë fuqishëm nëpër tregje, vetura, koncerte, e sidomos nëpër odat e burrave, ku do të përcilleshin vazhdimisht me rrebeshe rafalësh nëpër tavanet e odave dhe shtëpive të huaja, në mënyrë që edhe bota femërore dhe fëmijët, të mësonin e të dëgjojnë për “trimëritë” dhe “burrëritë” e tyre!

Të ushqyer nga një mentalitet i këtillë, shumë njerëz në jetën time më kanë ndalur rrugëve dhe më kanë kërkuar që t’ iu thuri dhe t’ iu këndoj këngë?!

Të tillët, me një mllef dhe nervozë të pa matur , më drejtohen kështu:

“More, ti, krejt dynjasë ju këndove dhe i qite në këngë, vetëm mua jo?!”

Përpjekjet e mia, për t’ i bindur se kënga nuk mund t’ i kushtohet secilit njeri, asnjëherë nuk kanë qenë bindëse dhe të suksesshme !

Përveç atyre, të cilët më drejtohen drejtpërsëdrejti me kërkesa për t’ iu kushtuar dhe kënduar këngë personalisht atyre, është edhe një grup tjetër individësh që janë simpatizantë të sëmurë ndaj liderëve të tyre politik dhe të tillët janë edhe më agresiv se sa ata të parët, nga se ata dinë të shprehin kërkesat e tyre edhe me fjalë e tone kërcënuese!

Po e marr shembull një rast shumë të freskët, i cili më ndodhi këto ditë , mu në sheshin e qytetit tim:

Duke shëtitur nëpër sheshin e qytetit së bashku me një mik timin, pa pritur më doli përpara një njeri bukur i moshuar, i veshur pedant e me kravatë, që në shikim të parë dukej të jetë ndonjë intelektual i ngritur! U ndal mu përpara meje dhe më përshëndeti, duke më pyetur:” A je ti, Demir Krasniqi?”

Unë, iu përgjigja me urtësi dhe modesti: “Po , vet unë jam Demir Krasniqi, por Ju kërkoj falje, nga se Juve nuk po ju njoh !”

Kalimtari i pispillosur deri në kokë, ma ktheu me një buzëqeshje ironike:

“Po, po . Ju këngëtarët nuk e njihni askënd, pos vetës ! Por, unë jam një zyrtar i lartë i drejtësisë, i cili ju adhuroj dhe me këngët tuaja, jam rritur! Por tash, kam fillua të ta marr inati, nga se krejt këngëtarët e regjioneve tjera, po ju kushtojnë këngë dhe po i këndojnë liderët e vet të gjallë, kurse Ti, për krejt dynjanë ke krijuar këngë, vetëm për liderët e gjallë të Anamoravës, jo! E për këtë , të ndala që të tregoj se nuk e ke mirë, nga se unë jam një jurist me fakultet dhe ne kemi nevojë që t’ iu këndojmë liderëve tanë politik sa janë të gjallë, se kur të vdesin, nuk mund t’ i dëgjojnë këngët e veta!”

Sjellja e këtillë e këtij juristi, më habiti dhe më shokoi ! Pasi më nxori nga takti, më detyroi që t’ ia them edhe unë , dy – tri fjalë:

“Më vjen keq, zotëri jurist, që Ju , nuk po e ditkeni se nga ana juridike është vepër e rëndë penale, që t’ i këndosh këngë njeriut për së gjalli, pa marrë para sysh se për kënd është fjala!

E dyta: - Në traditat dhe zakonet tona popullore, vetëm dhëndurëve iu këndohen këngë për së gjalli, e askujt tjetër!

Vajzat , iu këndojnë këngë me defe – dhëndurëve, nja tri ditë para se të martohet, me qëllim që t’ ia lavdërojnë nusen, t’ a trimërojnë atë, për t’ ia hequr tremën dhe frikën para se të hyjë dhëndër, nga se në kohërat më të vjetra djemtë e ri martoheshin me vajzat që ua caktonin prindërit, pa u pa kurrë me to , deri në natën e martesës, andaj edhe kishin frikë shumë në natën e parë të martesës!

Ndërsa, sa iu përket liderëve tanë të gjallë, nuk mendoj se ka nevojë që t’ ua heqim tremën me këngë, për t’ u marrë me politikë dhe për ta drejtuar popullin në rrugë të drejtë e të mbarë!”

Demir KRASNIQI

Dienstag, 2. Dezember 2008

KUSH E URREN PLISIN-NUK DUHET TI VESHI AS TIRQIT

KUSH E URREN PLISIN NUK DUHET TË VESHi as tirqit

u2_demirkrasniqiKoment

KUSH E URREN PLISIN – NUK DUHET T’ I VESHË TIRQIT !

Veshjet tona kombëtare janë shumë të begatshme, me shumë kolorite dhe ornamentikë autoktone, me të cilat kombi ynë identifikohet në opinionin ndërkombëtar. Ato janë aq karakteristike dhe aq joshëse për studiuesit e folklorit dhe etnografisë, sa të gjithë mahniten në rastet kur i shohin ato, nëpër skenat e ndryshme: koncerte, festivale, programe televizive dhe simpoziume të ndryshme ndërkombëtare që kanë të bëjnë me folklorin dhe traditat e popujve të botës.

Pa dyshim, se pjesa më e ndjeshme dhe më karakteristike e kostumografisë sonë kombëtare, është plisi, apo qeleshja e bardhë, simbol ky që nuk e ka asnjë popull tjetër në botë. Plisi, apo qeleshja e bardhë shqiptare është shumë i lashtë , i përpunuar prej leshit të deleve , i cili simbolizon paqen , kthjelltësinë dhe pastërtinë shpirtërore të kombit shqiptar.

Ashtu siç ndryshojnë dialektet e të folmes, traditat, zakonet dhe forma e veshjeve kombëtare prej një krahine në një krahinë, ashtu ndryshon edhe forma e plisit, apo qeleshes së bardhë. Në Kosovë bahen dy lloje të plisave të bardhë, që kanë formën e kupës dhe njëri lloj është pa kurriz, e tjetri ndahet për mes një kurrizi.

Edhe në krahinat e Shqipërisë, na paraqiten dy lloje të plisave, apo qelesheve të bardha. Në veri bahet plisi me kupë të rrafshët , i cili pak a shumë për kah forma i ngjet fesave të kuq e të zi, të cilët i mbanin dikur osmanlinjtë , ndërsa në jug bahen plisat (qeleshet) e bardha me kupa të mprehura dhe në maje të kupës kanë një bisht të vogël.

Përveç plisit që ndryshon formën prej krahine në krahinë, këtë ndryshim e hasim edhe tek forma e tirqve dhe pjesëve tjera të veshjeve kombëtare shqiptare. Bie fjala, në Kosovë bahen dy lloje tirqish: të zi dhe të bardhë. Tirqit e zi, tradicionalisht janë bajt për punët e përditshme në bujqësi e blegtori, kurse tirqit e bardhë janë përdorë ekskluzivisht për solemnitete, dasma, ahengje dhe mysafirllëqe. Por më tepër, tirqit e zi janë bajt në krahinat e Kosovës lindore:Llap, Gollak e Karadak.

Në disa krahina të Shqipërisë jugore, tradicionalisht janë bajt fustanellat, të cilat në Kosovë, kurrë nuk kanë qenë pjesë e veshjes kombëtare.

Për derisa veshjet tona tradicionale kombëtare janë ruajtur nëpër shekuj të robërive të ndryshme, me një dashuri dhe autoktoni të palëkundur, sot në përpjekjet e demokratizimit të vendit dhe popullit shqiptar, nuk mund të krenohemi se po ruhen dhe kultivohen këto vlera me një përkushtim, seriozitet dhe autoktoni të trashëguar!

Në skenat tona koncertale, në festivale dhe në skenografitë e televizioneve tona publike, është krijuar një kakofoni e përdorimit dhe veshjeve tona kombëtare, me çka ia humbin vlerat e autoktonisë së tyre.

Çoroditje të mëdha po i bëhen kostumografisë sonë kombëtare që nga qepja e tyre e deri tek përdorimi dhe mënyra e veshjes së tyre. Tanimë , nuk mund të thuhet se janë duke u ruajtur vlerat autoktone të këtyre veshjeve , në bazë të krahinave ,qoftë për nga përdorimi i lëndës së parë për përpunimin e tyre, qoftë për qepjen, qoftë për veshjen e tyre. Kostumografia jonë kombëtare sot, më tepër është një imitim i origjinalit përmes pëlhurave dhe stofave të lehta e të pambukta , të cilat synim kryesor e kanë tregun dhe biznesin, e jo vlerat e autoktonisë.

Njëra nga çoroditjet më të shprehura të përdorimit të veshjeve tona kombëtare, pa dyshim është përdorimi i fustanellave të burrave të jugut, të cilat jo rrallë herë na bie t’i shohim të veshura nga anëtarët e grupeve dhe ansambleve burimore nga Kosova?!

Një gjë dihet mirëfilli , se kurrë në historinë e kostumografisë kombëtare, burrat e Kosovës nuk i kanë bartur fustanellat e jugut, sikur që as burrat e jugut nuk i kanë bartur tirqit e bardhë e të zi, që përdoren në Drenicë, Dukagjin, Rugovë, Llap, Gollak e Karadak!

Çoroditjet, injorimet dhe nënçmimet më të mëdha në përdorimin e kostumografisë kombëtare nëpër skenat publike, koncerte, festivale, programe televizive, spote këngëtarësh, pa dyshim kohëve të fundit janë duke iu bërë plisit të bardhë kombëtar, apo qeleshes!

Është e çuditshme se si veprohet kështu nga ana e disa këngëtarëve, rapsodëve, valltarëve, të cilët i përdorin veshjet kombëtare sa për sy e faqe me një kamuflim të pa parë para shikuesve e dëgjuesve, por të rrallë janë ata të cilët do të dalin në skenë me plis të bardhë mbi kokë!

Kjo dukuri e shëmtuar nëpër skenat tona muzikore, të iriton dhe të nervozon, nga se para sysh na dalin disa pseudo – artist që e çorodisin veshjen tradicionale kombëtare, duke mos e përfillur atë në origjinal, duke mos ditur se si vishen ato dhe mbi të gjitha, duke e urryer bartjen e plisit të bardhë mbi kokë?!

Artistët e tillë, që përbuzin dhe urrejnë kostumografinë kombëtare, para auditorit të gjerë , dalin aq artificial dhe aq qesharak, për të mos thënë edhe banal, nga se t’ i veshësh tirqit , shokën, këmishën , opingat e të mos e vësh plisin e bardhë mbi kokë, kjo është më shumë se injorim ndaj simboleve tona kombëtare!

E terë kjo çoroditje, strëkeqje dhe injorim që i bëhet plisit të bardhë, rrjedh nga një mentalitet i shizofrenisë adoleshente të atyre që mendojnë se në skenë po ua shëmton bukurinë plisi i bardhë, duke ua pa mundësuar që auditori t’ ua shoh kaçurrelat e flokëve të ngopura me llaqe e gelle të ndryshme, por mbi të gjitha, personazhet e këtilla vuajnë nga kompleksi, se mos vallë, përmes ekraneve televizive – nuk do t’ i njohin dashnoret e tyre, po qe se e qesin plisin mbi kokë?!

Pra, thjeshtë: Ata që e urrejnë plisin – nuk duhet t’ i veshin as tirqit!

Përveç keqpërdorimit që po i bëhet plisit të bardhë nëpër skenat tona publike nga ana e artistëve të këngës dhe muzikës sonë popullore, të paktë janë ata që dinë se si mbështillet shoka në brez dhe si mbathen opingat tradicionale. Prandaj, shumë herë shohim artistë në skenë, pa shokë, pa opinga, me këpuca, e puma të ndryshme, duke mos ditur se sa i bëjnë dëm veshjes sonë tradicionale!

Dhe krejt në përfundim, po shtoj se kohëve të fundit , në skenat dhe spotet e disa këngëtarëve tonë popullor, na ka rënë që të shohim “artistë” të veshur me tirq, por të zhveshur lakuriq mbi brez , pa këmishë, pa xhurdi dhe pa plis?!

Skenat dhe spotet e këtilla, nuk mund të quhen ndryshe, pos çmenduri e llojit të vet, nga se tradicionalisht, shqiptari kurrë nuk ka dalë lakuriq para masës , i veshur vetëm me tirq, madje edhe në kohërat kur varfëria ishte e skajshme!

E gjithë kjo që u tha dhe shumëçka që nuk u tha, flet për mungesë të kritereve dhe mbikëqyrjeve profesionale, e mbi të gjitha , flet për mungesën e regjisorëve dhe kostumografëve profesionist në ansamblet dhe skenat tona të muzikës tradicionale!

Gjilan, më 02.12.2008. Demir KRASNIQI